Nikë Markaj, 45 vjeç dhe dy djemtë e tij, Gjon Markaj, 23 vjeç dhe Aleks Markaj 22 vjeç janë vënë nën prangat e policisë pasi akozohen se kanë plagosur me thikë një 44-vjeçar dhe më pas kanë dëmtuar edhe automjetin në pronësi të tij.
Ngjarja ka ndodhur rreth dy muaj më parë, më datë 30 korrik, ku tre të arrestuarit pas një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me thikë shtetasin P. Gj., 44 vjeç.
Babai së bashku me dy djemtë e tij akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje“, kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, efektivët e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas lokalizimit të vendndodhjes, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacion policor të koduar “Raja”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:
-Nikë Markaj, 45 vjeç dhe dy djemtë e tij, Gjon Markaj, 23 vjeç dhe Aleks Markaj 22 vjeç, banues në fshatin Tetaj, Tropojë.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka dërguar urdhër për ekzekutimin e vendimit penal të datës 04.08.2021, të Gjykatës së Rrethit Tropojë, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje“, kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Rrjedhja e ngjarjes:
Më datë 30.07.2021, në aksin rrugor Lekbibaj-Fierzë, në afërsi të vendit të quajtur “Shkëmbi i Rajës”, këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me thikë shtetasin P. Gj., 44 vjeç, banues në Fierzë. Gjithashtu, në bashkëpunim më njëri-tjetrin i kanë dëmtuar automjetin këtij shtetasi.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel