Arrestohet 19-vjeçari në Shkodër, dyshohet se në bashkëpunim me një tjetër vodhën para në një dyqan

13/09/2021 14:39

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 19-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim më herët, pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vjedhjen me armë të një shume parash në një dyqan në fshatin Drisht.  

Në njoftimin për media bëhet e ditur se i riu me iniciale D. Sh., ishte banues në fshatin Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Bashkia Shkodër.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë veprimeve profesionale, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 02.04.2021, në fshatin Drisht, ku dy shtetas vodhën nën kërcënimin e armës, një shumë parash në dyqanin e shtetases Y. C. Si rezultat i veprimeve hetimore, më datë 06.09.2021 u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i njërit prej autorëve, shtetasi A. C., 18 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër”, njofton policia.

Këta shtetas dyshohen se paraditen e datës 2 prill 2021, në fshatin Drisht, në bashkëpunim më njëri-tjetrin, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një shumë parash në dyqanin e shtetases Y. C.

Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel