Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së ka reaguar në lidhje me votimin e fshehtë për kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
Dule ka hedhur poshtë dyshimet se ai mund të kishte votuar pro kandidaturës së Lindita Nikollës.
“Pavarësisht se nuk është etike në rastin e votës së fshehtë, vota ime ishte kundër kandidaturës së Zonjës Nikolli”, shprehet kreu i PBDNJ-së.
Përmes një reagimi publik Dule sqaron gjithashtu edhe një herë arsyen pse nuk iu bind urdhrit të kreut të PD Lulzim Basha.
“Megjithë deklaratën time të qartë dje pas përfundimit të punimeve të Kuvendit, në prani të shumë mediave, ende vazhdon të përhapet një tymnajë mediatike e pakuptimtë. Ashtu siç pata kurajon publikisht të diferencohem, për arsye konceptimi të ndryshëm, nga shumica e kolegëve opozitarë në mënyrën e votimit, për më tepër nuk më mungon ajo ta pohoj po publikisht, në respekt të së drejtës së qytetarëve për të ditur të vërtetën që tentohet të shtrembërohet qëllimisht, pavarësisht se nuk është etike në rastin e votës së fshehtë, se vota ime ishte kundër kandidaturës së Zonjës Nikolli”, thuhet në reagimin e Dules.
Por, le të kthehemi një ditë pas, në seancën e dytë parlamentare të legjislaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë, ku deputetët morën pjesë në votimin për zgjedhjen e kryetares të Parlamentit, Lindita Nikolla.
Ishin 137 deputetë të cilët morën pjesë në votim, ndërsa vetëm 83 vota u konsideruan të vlefshme nga komisioni, 79 por dhe katër të tjera kundër.
Fill pas fitores së PS një reagim i menjëhershëm erdhi edhe nga LSI, që përmes një komunikate zyrtare bën të ditur se katër deputetët e LSI votuan kundër.
Sipas një llogaritje fare të thjeshtë 4 vota kundër të LSI dhe një votë kundër nga Vangjel Dule në total janë pesë dhe jo katër.
Lind pyetja: Kush votoi pro nga opozita? Kjo mbetet për t’u zbuluar!
Top Channel