Në sulmet terroriste të 11 Shtatorit në New York mes 2,977 atyre që humbën jetën,  janë edhe tre shqiptaro-amerikanë.

Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj, dhe Simon Dedvukaj.

Historitë e tyre janë përmbledhur në librin me titull   “Shqiptarët e Amerikës” i botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami.

 Rrok Camaj, nga Sukrugji i Malësisë së mbi-Shkodrës, që nga viti 1975 pastronte xhamat e jashtëm të dritareve të Qendrës Botërore të Tregtisë (World Trade Center).

Në ditën tragjike të sulmeve  ai shkoi në punë si zakonisht.

Në orën 9 e 15 minuta të mëngjesit, pasi ndërtesa ku punonte u godit nga një avion, ai kishte telefonuar në shtëpi nga kati 105 dhe bisedoi  me të shoqen, Katrinën.

“Unë jam shëndosh e mirë. Në dorë të Zotit jemi e çka të bahet, le të bahet. Pa marrë parasysh se çdo të ndodhë, të lutem mos i shqetëso fëmijët!”,  ishin fjalët e fundit të Rrokut.

 Mon Gjonbalaj ishte 65 vjeç dhe kujdesej për pastrimin e zyrave në ndërtesën numër 2.

Më 11 shtator, si përherë, ishte nisur në orën 5 të mëngjesit për të shkuar në punë.

Kishte 29 vite që punonte në katin e 86.

“Disa minuta pasi terroristët sulmuan ndërtesën e parë, ai telefonoi në shtëpi dhe bisedoi me vëllanë, Bekimin, i cili në atë moment po ndiqte kanalin televiziv CNN”, tregon biri i tij, Salihu.

Në orën 9 e 9 minuta Moni telefonoi përsëri  në shtëpi dhe bisedoi me Albianën, bashkëshorten e Bekimit.

“Gjendem në katin 86”, tha Moni.

“Jemi bllokuar të gjithë. Nuk shohim tjetër, veç se tym. Nuk di a do të shihemi më”, u shpreh ai.

Për gjashtë javë familja e tij jetoi me shpresë se ai do të kishte shpëtuar.

 Simon Dedvukaj është viktima e tretë shqiptare e akteve terroriste. Ai punonte si mbikëqyrës i punëtorëve në kompaninë e pastrimeve “ABM”, në ndërtesën numër 2, kati 27.

Xhaxhai i tij, Dedë Dedvukaj, tregoi më pas  se Simoni ka telefonuar në shtëpi në orën 8 e 30 minuta të mëngjesit dhe prej asaj kohe dhe nuk u dëgjua më.

Pas një viti nga vdekja e Simonit,  trupi u gjet duke përdorur gjurmët e ADN-së  dhe iu dha lamtumira e fundit nga mijëra shqiptarë të New Yorkut më 21 shtator 2002.

Top Channel