Foto Ilustruese

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se në 24 orët e fundit janë regjistruar 977 raste të reja dhe 4 humbje jete nga Covid-19. Numri i testimeve të kryera nga autoritetet është 6308.

Në vendin tonë janë 12,582 pacientë aktivë. Aktualisht në Spitalet COVID po marrin trajtim 163 pacientë, nga të cilët 18 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID19 4 qytetarë: dy qytetarë nga Fieri të moshave 82-88 vjeç, një qytetare 64 vjeç nga Tirana dhe një qytetar 71 vjeç nga Elbasani.

Ndërkohë, Ministria njofton se janë shëruar 919 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 140,176 persona që nga fillimi i epidemisë. Bashkia me më shumë raste aktive është Tirana me rreth pesë mijë raste, e ndjekur nga Shkodra, Durrësi dhe Fieri me nga 1 mijë raste e sipër secila.

Ministrja e Shëndetësisë ka apeluar për vaksinim masiv gjatë shtatorit që është konsideruar si muaj i hapur, pasi sipas saj 95% e rasteve të shtruara janë të pavaksinuar. Shifrat e infektimeve janë rritur që nga fundi i gushtit, ndërsa me këto është paralajmëruar se do të hapet sërish spitali Covid 3. Kryeministri Rama gjithashtu ka apeluar që studentët që do kthehen në auditore të vaksinohen me detyrim.

Top Channel