Kancelarja Angela Merkel zhvillon në 13 dhe 14 shtator turin e saj j të fundit zyrtar në Ballkanin Perëndimor, me ndalesa në Beograd dhe Tiranë ku do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e qeverive dhe shoqërisë civile të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke cituar qarqe diplomatike në Berlin, DW thotë se iniciatori i këtij udhëtimi ka qenë ambasadori gjerman Jan Hecker, i cili vdiq vetëm ditë më parë në Pekin. Deri në fund të korrikut, ai ishte këshilltar i Merkelit për politikë të jashtme dhe të sigurisë dhe ka luajtur një rol kyç në politikën gjermane në Ballkanin Perëndimor.

Lajmi për vdekjen e papritur të tij i trishtoi te gjithe, jo vetëm Kancelaren dhe kolegët e tij më të afërt, por edhe shumë diplomatë, gazetarë dhe politikanë ndërkombëtarë, vazhdon DW.

Jan Hecker ishte këshilltari i parë i Kancelares që nuk ishte diplomat. Ndoshta ishte aftësia e paanësisë, aq e domosdoshme për këtë profesion, ajo veti që e bëri atë një bashkëbisedues kaq të vlerësuar për të gjithë politikanët e Ballkanit Perëndimor. “Ai ia dilte të xhonglonte mes krizave të shumta në të gjithë botën për të gjetur vend edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin,” thotë Nikola Dimitrov, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, i cili ka punuar shumë ngushtë me të.

“Ai besonte fort në të ardhmen evropiane të rajonit tonë dhe u shkonte me themel problemeve tona i përqendruar, i saktë, me zgjuarsi dhe sinqeritet”, kujton Dimitrov.

Top Channel