Marrëveshje e fshehtë Rama-Basha? Berisha: Ne kemi para ujkun, jo gjurmën/ Ish kryeministri tregon nëse do krijojë parti të re

09/09/2021 21:15

Menjëherë pas vendimit të marrë nga kryedemokrati Basha për përjashtimin e përkohshëm të ish kryeministri Berisha nga grupi i PD, derisa të dalë në dritë e vërteta e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ka ardhur edhe reagimi i parë i Sali Berishës.

Në një intervistë të dhënë gjatë një lidhje live për ‘Syri.net’ Berisha e akuzon kreyedemokratin Basha se me vendimin e marrë ai ka shkelur çdo rregull të partisë, pasi duhet të mblidhet Kongresin e PD që të bënte përjashtimin e tij. “Basha i ka bërë gjëmën partisë”, tha Berisha.

I pyetur nëse pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD-së a do të krijojë Berisha partinë e tij, ky i fundit nuk dha një përgjigje konkrete por këmbënguli se do të bëjë gjithçka për të rivendosur sovranitetin e PD-së.

Berisha ka thënë se Basha shkelmoi parimet themelore të PD-së dhe shkeli statutin e saj, por para se të përjashtonte atë, lideri historik i PD-së tha se Basha “duhet të kishte dhënë 5 here dorëheqjen”.

“Besoj se këto që të thashë, një gjë të sigurojë që Berisha do bëjë gjithçka me çdo shqiptar për të rivendosur sovranitetin e PD të cilin Basha mund të kishte dhënë 5 here dorëheqjen para se ta shkelmonte në këtë mënyrë”, tha Berisha.

Berisha shtoi më tej se gjatë 8 viteve që Basha ka qenë në krye të PD-së ish kryeministri ka qëndruar në një anë pasi nuk ka dashur të implikohet në vendimmarrjet e Partisë Demokratike, por sidoqoftë ka dhënë disaprovimin e tij në situata të caktuara.

I pyetur nëse pas gjithë kësaj ngjarje fshihet një koalicion i mundshëm ‘Basha-Rama’, Berisha u përgjigj: Nuk ka rëndësi, këtu ne kemi përpara ujkun jo gjurmën, kjo nuk ka rëndësi!

Top Channel