Basha “ngrin” Berishën/ E mban jashtë grupit të deputetëve të PD

09/09/2021 22:53

Vetëm pak orë para nisjes së sesionit të ri parlamentar Sali Berisha u shpall non grata edhe nga grupi parlamentar i partisë që tre dekada  më parë themeloi. Lulzim Basha theu heshtjen dhe shpalli vendimin e përjashtimit te përkohshëm te ish-liderit historik te Partisë  Demokratike deri në zbardhjen e së vërtetës.

Lulzim Basha: Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Mes Sali Berishës, i cili i hapi dyert e PD ne 2004 dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikës Lulzim Basha zgjodhi amerikanet, megjithëse nga dita e ultimatumit te Yuri Kim ai qëndroi publikisht përkrah paraardhësit te tij.

Lulzim Basha: Ky, ishte një nga momentet më të vështira për mua, si kryetar i Partisë Demokratike, si demokrat, si njëri prej jush, por edhe si një bashkëpunëtor i afërt prej vitesh i z. Berisha. Kjo jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson për mua, si Lulzim Basha, apo për çdo demokrat, Sali Berisha, por edhe për faktin se unë jam dëshmitar si bashkëpunëtor i tij, ashtu si shumë prej jush, sa sa rëndësi dhe vlerë ka patur për Sali Berishën, mbrojtja e interesit publik dhe shërbimi me ndershmëri ndaj qytetarëve shqiptarë. Prandaj dhe që ditën e parë ku u njoha me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit iu bashkova thirrjes për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim.

Ky vendim i Lulzim Bashës për të vrarë “babain e tij politik” u duk se erdhi pas një presioni të fortë amerikan.

Lulzim Basha: Ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë. Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona.”

I zënë në befasi nga ky vendim Sali Berisha deklaroi menjëherë në media se Basha ka dorëzuar sovranitetin e PD-së, se vendimi ishte i paligjshëm dhe se ai do bënte çdo gjë për rikthimin e sovraniteti në PD. Berisha tha se Basha ka marrë vendim nën presion dhe se të premten vetë Berisha do të jetë në parlament.

Top Channel