Trazirat e djeshme në Mal të Zi po vlerësohen se mund të ndikojnë në destabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në rast se përsëriten veprime të tilla.

Në mënyrë që Kosova të jetë sa më e përgatitur, njohës të politikës dhe të sigurisë thonë se duhet të rritet siguria kombëtare, e cila do të garantohej më së miri përmes anëtarësimit në NATO. Sipas tyre, thirrjet për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë nuk duhet të nënvleftësohen si thirrje të disa huliganëve. Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Arben Hajrullahu thotë se Kisha Ortodokse Serbe përgjatë dekadave ka nxitur konflikte në rajon.

Arben Hajrullahu: “Rusia luan një rol shumë destruktiv dhe me investime minimale është duke arritur që të krijojë destabilizim maksimal. Kjo vërehet në Mal të Zi tash, por edhe më herët në Maqedoni, Kosovë, Bosnje etj., si mashë në krijimin e këtij destabiliteti dhe çorientimi të rajonit në rrugën e integrimeve euroatlantike e përdorë Serbinë, e cila është edhe aleate edhe vetë-viktimë e vullnetshme e interesave ruse në rajon… Mali i Zi, me faktin e të qenit anëtar i NATO-s, është më i sigurt dhe çështja është nëse ka këso lloj veprimesh në rajon, atëherë edhe Mali i Zi, po edhe Kosova dhe krejt rajoni mund të rrezikohen dhe mund të ketë destabilitet më të madh, të panevojshëm, kontra-produktiv sa i përket perspektivës evropiane të rajonit”, tha Hajrullahu.

Sipas tij, Kosova është e rrezikuar gjatë tërë kohës nga retorika dhe agresioni serb, i cili siç thotë ai, është “zëdhënës i politikave dhe interesave ruse”.
“ Kosova është e rrezikuar vazhdimisht, në rend të parë prej retorikës apo agresionit serb, i cili është një lloj zëdhënësi i politikave dhe interesave ruse, dhe vet fakti kur i dëgjojmë ato këngë në Mal të Zi, me sloganin ‘kur një ditë të kthehet ushtria në Kosovë’, këto na kujtojnë një qasje të ngjashme ose të njëjtë me të talibanëve”.

Edhe drejtori ekzekutiv i “GeoPost”, Gynen Venhari, thotë se institucionet e sigurisë publike në Kosovë dhe mediat duhet të kenë kujdes sa i përket dezinformatave të ndryshme nga qarqet serbo-ruse në Ballkan, në kuadër të luftës hibride.

Gynen Venhari: Problemet e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë filluar para dy vjetëve, me tentimin për formimin e Kishës Autoqefale malazeze dhe aty kanë filluar problemet. Fatkeqësia më e madhe është që kisha dhe klerikët duhet t’i shërbejnë Zotit, ata po i shërbejnë dexhallit dhe politikave të ndryshme, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit… Forcat inteligjente ruse në bashkëpunim me Kishën Ortodokse kërkojnë destabilizimin e Malit të Zi, jo vetëm tash, por qe një kohë të gjatë… Jo vetëm Mali i Zi, por i gjithë rajoni është i rrezikuar nga ky ndikim

Ceremonia per shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, shihet nga malazezet si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”. Kundërshtuesit e ceremonisë kanë kërkuar që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës. Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.

Top Channel