Policia e Skocisë ka pranuar sot fajin në gjykatën e Edinburgh për neglizhencën që kontribuoi në vdekjen e një vajze të re, të bllokuar për tre ditë në makinën e saj pas një aksidenti të rëndë.
25 vjeçarja Lamara Bell, nënë e dy fëmijëve, ishte gjallë dhe kërkoi ndihmë në linjën e emergjencës, pas aksidentit me makinën e saj Renault Clio, por u gjet nga shërbimet e emergjencës tre ditë pas aksidentit.
I dashuri i saj John Yuill, 28 vjeç, kishte vdekur në vendngjarje, kurse Bell ndërroi jetë në spitalin Queen Elizabeth në Glasgow më 12 korrik 2015.
Ajo kishte pësuar një plagë në kokë, gjymtyrë të thyera dhe kishte dehidratim të rëndë, por ishte lënë “pa ndihmë dhe e ekspozuar ndaj elementëve të motit nga data 5 korrik deri më 8 korrik 2015.
Sot në gjyq u tha se telefonuesi i qendrës së policisë nuk kishte regjistruar raportimin e një dëshmitari në ora 11.30 paradite që tha se makina e zonjushës Bell ishte në fund të rrëpirës, jashtë autostradës M9 në Stirling.
Bell ishte e ndërgjegjshme dhe fliste me punonjësit e shërbimeve të ndihmës kur u gjet në vendngjarje tre ditë pas aksidentit.
Aksidenti ishte raportuar në polici nga një fermer më 5 korrik, por çifti ishte gjetur në makinë vetëm tre ditë pas një tjetër telefonate në linjat e emergjencës.
Prokurori Ashley Edwards tha se nëse Lamara Bell do të shtrohej në spital brenda gjashtë deri në tetë orë pas aksidentit, plagët e saj do të ishin më të thjeshta për t’u menaxhuar.
“Kjo do të kishte çuar në mbijetesën e saj, edhe pse me paaftësi të mundshme neurologjike”.
Ndërsa babai i Lamara, Andrew Bell, 56 vjeç, dënoi sjelljen e policisë së Skocisë dhe të dhënat e dobëta për përgjigje ndaj thirrjeve në numrat e emergjencës, bazuar në një studim ku thuhej se vetëm 40 përqind e telefonuesve mund të flisnin me operatorin.
Top Channel