Universiteti Bujqësor i Tiranës, më i vjetri në vendin tonë, me një histori 70-vjeçare është gjithashtu i përfshirë në procesin e regjistrimeve të maturantëve për vitin e ri akademik 2021-2022.
“Në Universitetin Bujqësor kanë aplikuar rreth 11 mijë maturantë, për rreth 1800 kuota gjithsej, pra një raport gati 1 me 5. Ne ofrojmë 62 programe studimi të sistemi bachelor. Fatmirësisht trendi është pozitiv. Kuotat janë plotësuar në masën 30% tani që po flasim.
Për Universitetin Bujqësor nuk ka ditë pushimi këtë periudhë regjistrimesh. Aktualisht jemi në fazën e tretë të raundit të parë të regjistrimeve”, shpjegon rektori i Universitetit të Tiranës, Fatbardh Sallaku.
Këtë vit nuk rrezikon të mbyllet ndonjë program.
“Ashtu si në çdo universitet ka një renditje të degëve më të kërkuara dhe atyre më pak të preferuara.
Më të kërkuarat janë degët e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznësit, Mjekësia Veterinare, Mjedisi dhe Ushqimi. Më pak të preferuarat janë Zooteknika, Akuakultura dhe Peshkimi, Hortikultura dhe Agronomia. Për mua është nonsens fakti që nga njëra anë këto janë degë dhe kompetenca profesionale që janë më të kërkuarat sot në sektorin e bujqësisë dhe nga ana tjetër brezi i ri vazhdon t’i shohë ato me skepticizëm”, thotë Sallaku.
“Një nga risitë e këtij viti akademik është fakti që ditën e enjte delegacioni i universitetit Boku i Vjenës vjen në Universitetin tonë, për të konkretizuar hapjen e programeve dyshe, dualdiploma. Kjo do të thotë që një student shqiptar që do të regjistrohet në Universitetin Bujqësor do ketë mundësinë të marrë dy diploma, një shqiptare dhe një austriake dhe e kundërta një student austriak do të marrë dy diploma një nga Boku dhe një nga Bujqësori i Tiranës”, tregon rektori.
Top Channel