Studentet afgane në Shqipëri: Talebanët lënë vajzat të shkojnë në shkollë deri në klasë të shtatë, duan t’i mbajnë në errësirë

04/09/2021 12:28

Dy vajza të reja afgane që janë strehuar në Shqipëri kanë rrëfyer ëndrrën e tyre për arsim dhe edukim.

Hamasa Zeerak u shpreh se ishte tepër e vështirë që të largohej nga vendi i saj, vendim që e cilëson si më të vështirin e jetës pasi gjithçka u përmbys brenda natës. Ajo rrëfeu se ia doli që të arsimohej falë bursës që dha fondacioni i gazetares së BBC, Yalda Hakim dhe të gjithë shqetësimet e saj për pagesën e studimeve universitare u larguan.

Zeerak: Ishte vendimi më i vështirë që më është dashur të marr në jetë sepse nuk ma merrte mendja se do të lija vendin tim, por situata e brishtë që ndodhi në Afganistan më bëri të përballesha vetëm me një zgjedhje, të largohesha nga vendi im, ër të qenë e sigurtë. Ishte një moment sfidues për mua sepse isha një vajzë me ëndrra dhe shpresa për tu arsimuar, për tu diplomuar nga Universiteti. Do të nisja semestrin e pestë në Universitetin Amerikan të Afganistanit. Kështu që kur ndodhi kjo situatë, gjithcka u shkatërrua. Ishte kaq e stresuar pse u shkatërrua vendi im brenda natës sepse gjithcka ndodhi kaq shpejt. Për mua, arsimi shërben për të hapur dyert, për të arritur objektivat e tua, për të pasur një të ardhme të ndritshme.

Në fakt unë dhe Nikbakht para se të nisnim Universitetin Amerikan të Afganistanit, nisëm me kurset plotësuese të gjuhës angleze, të kompjuterit dhe kur donim të nisnim programin universitar, fatmirësisht Yalda Hakim shpalli bursat e saj. Ne aplikuam, e pamë që kualifikoheshim, ne bëmë intervistën dhe ia dolëm që të merrnim bursën e studimit dhe i jam shumë mirënjohëse sepse kur mora këtë bursë, jeta ime befas ndryshoi. Unë kisha probleme financiare dhe jam e sigurt që nuk do ta vazhdoja dot Universitetin pa Yalda Hakim, pa mbështetjen e saj. Pasi mora këtë bursë, familja ime ishte shumë e lumtur sepse mund të filloja studimet, sepse isha shumë e stresuar si mund ta paguaja gjithë atë tarifë, si mund të vijoja studimet universitare.

Ëndrra ime më e madhe ishte dhe është të arsimohem, të mbështes veten, familjen time dhe të gjithë shoqërinë time. Ëndrra ime është që vendi im një ditë të jetë i paqtë, që ne lehtësisht të kthehemi, të mbështesim brezat e tjerë që vijnë pas nesh. Ëndrra ime është që një ditë vendi im të jetë i paqtë.

Ndërsa studentja tjetër, Nikbakht Iqbalzada u shpreh se është shumë mirënjohëse për qeverinë shqiptare dhe atë të Katarit, pavarësisht se largimi nga Afganistani nuk ishte asnjëherë alternativë për ta.

Sa i përket premtimeve të forcave talebane për shkollimin e vajzave, studentja afgane tha se fjalët e tyre janë ndryshe nga veprimet. Sipas saj, talebanët nuk i lejojnë të vazhdojnë studimet pasi mbarojnë klasën e shtatë sepse duan t’i mbajnë njerëzit të painformuar.

Iqbalzada: Ishte gjëja më e vështirë që mund të bëja në 20 vitet e jetës time pasi të largohesha nga vendi nuk ishte asnjëherë një alternativë për ne,  kurrë nuk na e merrte mendja që vendi ynë apo gjërat që kishim bërë gjatë 20 viteve të jetës sonë, bëmë më të mirën për t’u arsimuar, për t’i shërbyer vendit, të gjithë brezit, por gjithçka u shkatërrua brenda natës. Kështu që jam shumë falenderuese dhe shumë mirënjohëse për qeverinë shqiptare, qeverinë e Katarit se na trajtuan me dinjitet, me respekt, na kanë pritur me të gjithë respektin dhe dashurinë që mundën.

Pyetje: A besoni në premtimin e regjimit të ri taleban që do të lejojnë shkollimin e vajzave?

Iqbalzada: Nuk është një vendim që mund ta marrim tani sepse ata ndryshe flasin në publik, në twitter, në lajme dhe përfundimisht veprojnë ndryshe në terren, në praktikë. Ajo çka dëgjoj nga njerëzit është që nuk i lejojnë vajzat në klasë të shtatë të shkojnë në shkollë, vajzat mund të shkojnë në shkollë deri në klasën e gjashtë. Ata kanë frikë nga njerëzit që kanë dije sepse nëse njerëzit kanë dije, nëse marrin arsimim, atëherë do të dinë çfarë është e mirë dhe e keqe. Plani i tyre është t’i mbajnë njerëzit në errësirë.

Top Channel