Një 65 vjeçare i ka vendosur vërtet në pozitë të vështirë oficerët e prokurorisë së posaçme SPAK, të cilëve ju kërkoi jo vetëm hetimin e policisë së Tiranës, por që prokurorët e posaçëm të zbulojnë disa hajdutë të rrallë që sipas saj hynin fshehtas dhe mbasi shijonin ushqimet e saj largoheshin.
Në dosjen që gazetarja e Top Channel Anila Hoxha disponon përmendet se gruaja fillimisht ka pretenduar se ishte abuzuar dhe droguar, më pas se policia kishte dijeni për këtë fakt dhe ndaj duhej hetuar për korrupsion dhe sipas burimeve të gazetares Hoxha pikërisht ky rrëfim e ka shtyrë oficerin e SPAK me inicialet J.K që të mbante shënim cdo gjë që thoshte denoncuesja në SPAK.
Por më pas ajo ka kërkuar të gjendet dhe të arrestohet grupi që konsumonte ushqimet e saj. Denoncimi, raportoi gazetarja e Top Channel Anila Hoxha është paraqitur në SPAK në datën 27 korrik dhe së fundmi është shpallur moskompetenca. Në dëshmi gruaja me inicialet L.M thotë mes të tjerash se se hajdutët shfrytëzojnë orët e mbrëmjes kur e zonja e shtëpisë private është në gjumë. “Gjatë kohës kur unë fle, në shtëpinë time hyjnë persona dhe hanë ushqimet. E kam konstatuar këtë në mëngjes dhe gjithashtu kur kam gatuar drekën, kam vënë re që është harxhuar edhe vaji i ullirit”, thotë gruaja.
Nën pretendimin se policia nuk vepronte mbasi favorizonte hajdutët e vakteve, gruaja i kërkoi SPAK hetimin e policit të zonës- raporton për Top Channel gazetarja Anila Hoxha, ndërkohë që me marrjen e këtij qëndrimi SPAK është bindur se nuk ekzistonte asnjë provë që policia të kishte shmangur përmbushjen e detyrës. Por qytetarja këmbëngul në versionin e saj se policia e shtetit e di se cilët janë personat që konsumojnë gatimet e saj dhe në këto kushte SPAK si shumë çështje të tjera dhe këtë fashikull ja ka përcjellë prokurorisë së Tiranës për hetime të mëpasshme.
Top Channel