Korçë/ U kap me kallashnikov dhe kanabis në shtëpi, arrestohet 26-vjeçari. Shpallet në kërkim vëllai

04/09/2021 09:20

Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Korçës për armëmbajtje pa leje dhe tentativë për kultivim të bimëve narkotike. Ndërkohë është shpallur në kërkim vëllai i tij 21 vjeçar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, policia gjeti një armë zjarri tip kallashnikov, një sasi me municione luftarake, 2 krëhëra dhe 2 bajoneta arme zjarri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu u konstatuan edhe disa fidanë të dyshuar kanabis, të cilat dyshohet të jenë kultivuar nga dy vëllezërit në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, si rezultat i hetimeve disa mujore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë dhe kontrollit në territor kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Selcë, Njësia Administrative Gorë, Maliq.

 Në vijim të veprimeve procedurale specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. M., 26 vjeç, banues në fshatin Selcë, Maliq dhe shpallën në kërkim vëllain e tij shtetasin D. M., 21 vjeç, banues në Libonik, Maliq, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën dhe ambientet përreth saj në pronësi të shtetasve të mësipërm, u gjetën 1 armë zjarri tip kallashnikov, një sasi me municione luftarake, 2 krëhëra dhe 2 bajoneta arme zjarri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu u konstatuan edhe disa fidanë të dyshuar kanabis, të cilat dyshohet të jenë kultivuar nga dy vëllezërit në bashkëpunim me njëri-tjetrin”, njoftoi policia.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim.

Top Channel