Korçë/ Arrestohen dy persona, një shpallet në kërkim, një tjetër procedohet penalisht. Ja për çfarë akuzohen

04/09/2021 12:01
Foto ilustruese

Dy persona janë arrestuar nga policia në Korçë, një është shpallur në kërkim dhe një tjetër është proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale.

Një 38-vjeçar i identifikuar me inicialet S.M., u arrestua sepse u kap duke transportuar 8 m³ dru të llojit ah me kamionin në pronësi të vëllait të tij, i cili është shpallur në kërkim.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. M., 38 vjeç dhe shpallën në kërkim vëllain e tij shtetasin N. M., 40 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi në rrugën Trebinjë-Vërdovë, shërbimet e policisë kanë konstatuar shtetasin S. M., duke transportuar me një mjet tip kamion në pronësi të vëllait të tij, 8 m³ dru të llojit ah, sasi për të cilën posedonte një faturë të dyshuar si të falsifikuar. Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi S. M., ishte i pasiguruar në organet tatimore”, njofton policia.

Ndërkohë një 40-vjeçar, i identifikuar me inicialet S.J., është vënë në pranga sepse kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Ndërsa një 28-vjeçar është proceduar penalisht sepse tentoi të kalonte pikën kufitare të Kapshticës në mënyrë të paligjshme. Ai kishte vendosur 25 euro brenda pasaportës së tij, me qëllim shmangien nga masa administrative.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë përpunimit të dokumentacionit të qytetarëve, kanë konstatuar se shtetasi B. M., 28 vjeç, banues në Hamallaj, Durrës, në brendësi të pasaportës së tij kishte vendosur 25 euro, me qëllim shmangien nga masa administrative pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, filluan procedimin penal për shtetasin B. M., për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, njoftoi policia.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë për veprime të mëtejshme.

Top Channel