1 javë para mbledhjes se Parlamentit te ri socialistët trokitën në derën e Ilir Metës për t’i kërkuar njeriut që  shkarkuan me votë nga posti i Kreut të Shtetit, mandatimin e Edi Ramës si Kryeministri i Shqipërisë për katër vitet e ardhshme.

Shkresa e mbërritur në protokollin e Presidencës mban  firmën e Taulant Ballës,  mbishkrimi i fundit i tij  si numri dy i Partisë Socialiste pasi Edi Rama e shkarkoi nga ky post. Kërkesa e Partisë Socialiste   bazohet në nenin  96 të Kushtetutës, ku  nuk parashikohet  asnjë shteg  refuzimi për kandidaturën e  partisë,  e cila ka fituar zgjedhjet.

Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

Ilir Meta  pritet të mandatojë Edi Ramën për formimin e qeverisë së re, jo  më parë se data 10 shtator, ditë ku deputetët e dalë nga zgjedhjet duhet te betohen ne Kuvend. Brenda një kohë të shkurtër Parlamentit i duhet të mblidhet sërish, për t’i dhënë besimin kabinetit Rama 3.

Menjëherë pas këtij momenti  Kryeministri  Rama  bashkë ministrat e qeverisë  do i drejtohen  zyrës së  Presidentit Ilir Meta për tu betuar. Edhe 4 vite me parë  dy ish aleatët u gjendën në të njëjtin pozicion, por ky pritet jetë shtrëngimi i fundit institucional  i duarve  të Edi Ramës si Kryeministrit dhe Ilir Metës si President.

Top Channel