Vorë/ Arrestohen 9 persona, mes tyre babë e bir. Procedohet penalisht kryeplaku i zonës dhe inspektori i pyjeve

03/09/2021 13:40

Policia e Vorës ka vënë në pranga 9 persona, mes tyre babë e bir, si dhe ka proceduar penalisht kryeplakun e zonës dhe inspektorin e pyjeve, për vepra të ndryshme penale.

Policia njofton se babë e bir janë arrestuar nën akuzen e kultivimit të bimëve narkotike, ngjarje për të cilën janë proceduar penalisht kryeplaku i zonës dhe inspektori i pyjeve

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, si rezultat i kontrollit në territor kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në vendin e quajtur “Gurët e zinj” Vorë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vorë, arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., 32 vjeç dhe H. M., (babë e bir) pasi gjatë kontrollit të ushtruar në tokën e tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa. Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit B. K., 33 vjeç, me detyrë inspektori i pyjeve dhe A. G., 51 vjeç, ( kryeplaku i fshatit) të dy për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës””, njofton policia.

Forcat e Posaçme “Shqiponjat” në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. S., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë.

Sherbimet e Qarkullimit Rrugor në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve D. P., 30 vjeç dhe L. Sh., 48 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë, duke vjedhur skuterin elektrik në pronësi të shtetasit A. I.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., 30 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetases U. A., 33 vjeçe, pasi për motive të dobëta, ka goditur me një mjet prerës (thikë), ish-njerkun e saj, të cilit iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

D.K., 20 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse;

G.M., 24 vjeçe, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 1.04 mg/l.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel