Mungon Yuri Kim, batuta e Ramës për zv.ambasadorin: Nuk mban kufje, i vetmi që na kupton edhe kur…

03/09/2021 12:03

Nga baza ajrore në Farkë kryeministri Edi Rama ka falenderuar ambasadorët e BE dhe SHBA si qytetarë të vendit tonë që shqetësohen sa herë Shqipëria është në vështirësi dhe vihen menjëherë në dispozicion.

Rama nuk e kurseu batutën për zv.ambasadorin e SHBA, i cili përfaqësonte ambasadoren Yuri Kim, duke thënë se është i vetmi nga të huajt që kupton shqip.

“Nuk është e rastësishme që BE ka ngritur një mekanizëm të brendshëm për të asistuar shtetet e familjes së vet që janë në emergjencë dhe katastrofat e mëdha apo goditjet e furishme të natyrës nuk i përballon një vend i vetëm. Në rastin tonë kemi ende mangësi më të mëdha se shtete të tjera, ndaj dua t’i shpreh falenderim të posaçëm sot, qoftë ambasadorit të BE dhe ambasadores së SHBA dhe dua të them sot se ky falenderim nuk është as formal, as diplomatik, madje as një falenderim për dy ambasadorë.

Është një falenderim për dy përfaqësues të dy fuqive të mëdha që janë dhe aleatët strategjikë të vendit tonë që për hir të vërtetës, sa herë që Shqipëria ka nevojë, janë më shumë se sa ambasadorë, janë qytetarë të këtij vendi dhe njerëz që shqetësohen menjëherë për këtë vend dhe vihen në dispozicion.

Përtej hierarkisë dhe marrëdhënies diplomatike, sot dua që edhe Luigin dhe Yurin, që nuk është e pranishme, por është e pranishme përmes zv.ambasadori, i vetmi nga të huajt që nuk mban kufje sepse di dhe shqip, na kupton dhe kur ne kujtojmë se po flasim në një gjuhë që se kupton, të cilët realisht gjatë gjithë gushtit kanë qenë vijimëssisht të vëmendshëm dhe të interesuar, qoftë për të marrë vesh si shkoi dita, qoftë për të marrë vesh se çfarë do të bëjmë sot”, tha Rama.

Top Channel