Deputeti i PD Ervin Salianji në një reagim në facebook, ka komentuar riemërimin në detyrë të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi.
Salianji shkruan se Peleshi sot nuk duhet të ishte ministër, por i pandehur para drejtësisë, pasi lejoi që një sasi e madhe e pesticidit Silicon Mix të shitej si pleh kimik në kohën që ishte ministër Bujqësie.
Skandali i Silikon Miks u zbulua nga Top Channel në qershor të vitit 2018 dhe pas një viti investigimi ishte marrë si indicie për një kontroll të detajuar nga ana e kontrollit të lartë të shtetit.
Silikon Mix, pesticidi i kamufluar si pleh futej në vendin tonë me urdhër të ish-ministrit të bujqësisë Niko Peleshi.
Top Channel ka raportuar disa herë se si urdhri i Niko Peleshit për të risjellë tek tryezat tona silicon mix-in dhe zbatimi i këtij urdhri nga Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit ishin veprime në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi. Tregtimi i kimikatit të rrezikshëm silicon mix, tashmë i ka kaluar për hetim prokurorisë.
Reagimi i Salianjit
Në qeverinë e ricikluar ofrohet dhe mbrojtje për Niko Peleshin!
Prej 2 vitesh, ndaj tij qëndron një dosje në SPAK, për përdorim pesticidesh të rrezikshme. Një sasi e madhe pesticidi me emrin ‘Silicon Mix’ shitej në Shqipëri si pleh kimik, gjatë kohës kur Peleshi ishte Ministër i Bujqësisë.
‘Silicon Mix’ ishte bllokuar nga AKU, por me një udhër të ish-ministrit Niko Peleshi, bllokimi u hoq dhe në treg u shitën 4600 kilogram kimikat.
Skandali është evidentuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili akuzon ish-ministrin se ka shkelur ligjin.
Si mundet të bëhesh Ministër, kur ke helmuar qytetarët me pesticide si Silicon Mix?
Peleshi sot duhet të ishte i pandehur dhe me mbrojtës para gjykatës por mbrohet dhe promovohet si Ministër i Mbrojtjes.
Niko Peleshi duhet të dalë sa më parë para drejtësisë për helmim të produkteve ushqimore.
Top Channel