Drogë në lokal, armë në makinë dhe baste sportive/ Arrestohen 4 persona në Durrës

03/09/2021 13:34

Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit për vepra të ndryshme penale.

Një 25-vjeçar i identifikuar me inicialet H.L., së bashku me 50-vjeçarin A.H., të dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Mbajtja pa leje e armëve sportive” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në lokalin që menaxhohej nga 25 vjeçari dhe në automjetin që përdorej nga 50-vjeçari u gjetën dhe sekuestruan disa  doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë  të cilat dyshohet se konsumoheshin në ambientet e lokalit në përdorim, si dhe një armë sportive (manovër).

Ndërsa Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës arrestuan në flagrancë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”:

E.Z., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit që menaxhonte, u konstatua duke ushtruar aktivitetin e lotarive të basteve sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 telefona celularë, me anë të të cilëve ky shtetas ushtronte këtë aktivitet, si dhe 36.500 lekë dhe 50 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës u arrestua në flagrancë I. T., 52 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel