25-vjeçarja ra nga anija turistike dhe humbi jetën, arrestohet një nga punëtorët

03/09/2021 17:26

Një 47-vjeçar që punonte në anijen turistike, ku turistja 25-vjeçare humbi jetën mëngjesin e sotëm, është arrestuar për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.

Këtë mëngjes, policia njoftoi se një vajzë, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, ka rënë aksidentalisht në det, kur po zbriste nga një anije e ankoruar pranë portit të Vlorës.

Dyshohet se e ndjera ka qenë nën efektin e alkoolit. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Sipas policisë, Aleksandër Golemaj ishte i punësuar në anijen turistike. Ndaj tij, ka nisur hetimi nga Prokuroria e Vlorës.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” të shtetasit A. G., 47 vjeç, banues në Vlorë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, mëngjesin e sotëm, nga anija turistike ku ishte i punësuar, dyshohet se është rrëzuar një shtetase ende e paidentifikuar, rreth 25 vjeçe, e cila për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës. Vijon puna për identifikimin e saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshëm.

Top Channel