Të ndërtohet aksi “Lidhja e Prizrenit”/ Propozimi nga Peshkopia pas ndërtimit të HEC Kavica

02/09/2021 12:15

Shoqata Nisma Dibrane propozon ndërtimin e një korridori rrugor përgjatë ujëmbledhësit të Hidrocentralit të Skavicës, që të lidhë Rrugën e Arbrit me Aeroportin e Kukësit dhe Rrugën e Kombit. Ky korridor duhet të mbajë emrin Lidhja e Prizrenit shprehet kryetari i shoqatës, Hysen Uka.

Sipas Ukës ky investim do të shërbente për të sistemuar edhe banorët e fshatrave të zhvendosur.

Qeveria ka lidhur kontratë me kompaninë Bechtel për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një projekt madhor që do të mbështetet me 500 milionë dollarë nga qeveria amerikane për ndërtimin e tij.

Sipas projektligjit, kontrata do të ndahet në dy faza, ku faza e parë përfshin atë përgatitore dhe propozimin e kompanisë tek autoriteti kontraktues, ndërsa faza e dytë e kontratës konsiston në projektimin dhe ndërtimin e kësaj vepre energjetike.

Me ndërtimin e kësaj vepre energjetike, qeveria parashikon t’i japë zgjidhje problematikës së përmbytjeve në zonat e fushë Shkodrës, ndërsa synon ndër të tjera të ulë varësinë e importit të energjisë elektrike dhe të shndërrojë vendin në fuqi eksportuese në rast se Skavica rezulton një projekt i suksesshëm.

Top Channel