PS mbledh Asamblenë Kombëtare sot në orën 10:00, Rama pritet të zbulojë emrat e skuadrës së re qeverisëse

02/09/2021 09:26

Partia Socialiste do të mbledhë Asamblenë Kombëtare ditën e sotme në orën 10:00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Sot do të mësohen emrat e skuadrës së re qeverisëse, ndër të cilët Edi Rama ka konfirmuar vetëm Elisa Spiropalin si ministre për marrëdhëniet me parlamentin dhe Taulant Ballën në krye të grupit parlamentar.

Rama ka lënë në “ethe” të gjithë deputetët, të cilët do të mësojnë se kush do të përzgjidhet për të punuar krah kryeministrit në qeveri. Ndërkohë, brenda PS kanë qarkulluar emra të rinj të kandidatëve për ministra dhe në kabinetin Rama 3, pritet të jenë më të shumta në numër ministret femra.

Megi Fino, vajza e deputetit të ndjerë Bashkim Fino aktualisht zëvendës ministre e Punëve të Jashtme, mund të jetë një prej prurjeve të reja nga Edi Rama në skuadrën e tij qeverisëse.

Adea Meidani, vajza e ish presidentit socialist, Rexhep Meidani e shkolluar në Paris me një eksperiencë pune në Londër e  specializuar për taksat ndërkombëtare, shihet si një kandidate potenciale nga Edi Rama, për t’i besuar drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë gjithnjë nëse do t’i shkojë skenarit të ndarjes të Ministrisë së Financave nga Ekonomia.

Një burim tha për Top Channel se ekziston mundësia e ristrukturimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke e kaluar Integrimin si ministri më vete. Kandidati më potencial për ta drejtuar është diplomati i karrierës, Zef Mazi aktualisht krye-negociator i Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Dita e sotme do t’i japë fund edhe dilemës nëse Olta Xhaçka do të vijojë të drejtojë diplomacinë shqiptare,  apo do të jetë e para grua, të cilës i besohet Ministria e Punëve të Brendshme.

Sikurse do të mësohet nëse Lindita Nikolla mund të jetë në krye të parlamentit. Një emër surprizë është edhe Anisa Ruseti, e cila mund të shfaqet në drejtimin e çështjeve sociale.

Me të gjitha gjasat nuk do të mungojë edhe një ministre grua nga Kosova. Emri më i mundshëm është ai i Vlora Çitakut, të cilës Rama edhe mund t’i besojë Ministrinë e Diasporës në vend të Pandeli Majkos.

Edhe Arsimi, Ministria e Drejtësisë, Mbrojtja, Kultura, Turizmi dhe Sipërmarrja pritet të drejtohen nga ministra të rinj.

Rendi i ditës:

Mbështetur në Statutin e Partisë dhe në Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Neni 4, Sekretari i Përgjithshëm thërret Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me këtë rend dite:

1.Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës.

2.Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi RAMA.

3, Zgjedhja e Kryesisë së re, drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë.

Top Channel