Përflitej se do të drejtonte Ministrinë e Brendshme, Olta Xhaçka mban ‘karrigen’ tek Punët e Jashtme

02/09/2021 12:18

Kryeministri Edi Rama ka vendosur që Olta Xhaçka të vazhdojë të drejtojë Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Thuhej se në qeverinë e re, Rama do të surprizonte duke ia besuar një gruaje Ministrinë e Brendshme, por ka vendosur të mos bëjë lëvizje.

Olta Xhaçka, lindi në qytetin e Tiranës më 25 dhjetor 1979. Ka përfunduar studimet e larta me titull nderi në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe studimet pasuniversitare Master në Administrim Publik, pranë Clark University në Masaçusets të SHBA-së.

Përpara angazhimit të saj politik, ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes, si dhe ka punuar lektore e shkencave politike në Universitetin e Neë York, Tiranë.

Prej vitit 2009 është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, fillimisht si përfaqësuese e qarkut të Korçës për dy legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë dhe në qershor 2017 u zgjodh përfaqësuese e Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në mars 2017 u emërua ministre në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Në shtator 2017 iu besua detyra e ministrit të Mbrojtjes, detyrë të cilën ajo e mbajti deri në janar të vitit 2021. Më pas mori detyrën e ministres për Europën dhe Punëve të Jashtme.

Si aktiviste e të drejtave të njeriut, kryesisht në fushën e barazisë gjinore dhe si kryetare e Forumit të Grave Socialiste, Xhaçka ka drejtuar Nënkomisionin Parlamentar për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje dhe ka qenë anëtare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

Xhaçka është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Ajo është e martuar dhe ka 2 fëmijë.

Top Channel