Largohet Erion Braçe, ja kush e zëvendëson në detyrën e zv.kryeministrit

02/09/2021 12:13

Arben Ahmetaj i është besuar posti i zv.kryeministrit, të cilin më parë e mbante Erion Braçe.

Arben Ahmetaj ka lindur në 28 Qershor 1969 në qytetin e Gjirokastrës. Ai është i martuar me Albina Mancka dhe ka dy vajza, Livia dhe Kejsi.

Arben Ahmetaj mban titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjetike, diplomuar në vitin 2009 në Universitetin e Bukureshtit, Rumani. Më herët u diplomua në degën Financë Ndërkombëtare, Tregjet Financiare Ndërkombëtare, pranë Edmund A. Walsh School of Foreign Service, në Georgetoën University, Washington, D.C

Ai ka kryer studimet Master në degën Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci, në Patterson School of International Trade and Diplomacy, University of Kentucky, Lexington. Në vitin 1991 përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, në degën Gjuhë Angleze, Literaturë Amerikane dhe Angleze.

Ahmetaj ka një sërë kualifikimesh profesionale dhe internshipe në një sërë fushash si “Politikat e Zhvillimit”, akorduar nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar, në Harvard Kennedy School pranë Universitetit të Harvardit; “Ekonomiksi i Teknologjisë”, Programi Kokkalis në Harvard Kennedy School pranë Universitetit të Harvardit; Programet e Financimit të Fermerëve, Farmers Credit Union of Texas, Texas University, Austin, Texas etj.

Ai ka një karrierë të gjatë në administratën publike në disa pozicione të rëndësishme, ndërsa angazhimi i tij politik zë fill me Lëvizjen Studentore të vitit 1990.

Nga data 13 Dhjetor 2019 Arben Ahmetaj u emërua Ministër i Shtetit për Rindërtimin, pas një viti në drejtimin e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Arben Ahmetaj mbajti detyrën e Ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë përgjatë shkurt 2016 – Janar 2019, pasi shërbeu si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përgjatë periudhë s shtator 2013- shkurt 2016.

Në vitet 2004- 2005 mbajti postin e Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Integrimit Europian, ndërsa në periudhën 2003-2004 atë të Zëvendës Ministrit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. hmetaj ishte Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në vitin 1998-1999 ndërsa më herët shërbeu si Drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Financave dhe përgjegjës për marrëdhëniet Ndërkombëtare, anëtar i grupit të koordinimit të negociatave me Fondin Monetar dhe për konkretizimin e marrëveshjes post konfliktuale me ESAF.

Arben Ahmetaj është anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në zgjedhjet e qershorit 2017, ai u zgjodh deputet i Qarkut Tiranë, duke përfaqësuar Bashkitë Rrogozhinë dhe Kavajë. Në vitin 2013 u zgjodh deputet në Qarkun e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 2009 përfaqësoi qarkun e Korçës në Kuvendin e Shqipërisë. Është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.

Top Channel