Prifti që kreu ceremoninë ilegale të martesës së këngëtarit të burgosur amerikan R. Kelly tha dje në dëshminë e tij në gjyq, se ceremonia e 25 vjetëve më parë nuk ishte ndonjë gjë e madhe pasi zgjati vetëm 10 minuta dhe dhëndri ishte i veshur një komplet tutash.
Ish-superstari i muzikës R&B, R. Kelly po gjykohet në SHBA për një seri përdhunimesh e sulmesh seksuale gjatë karrierës së tij, përfshi dhe ndaj vajzave minorene.
Prifti Nathan Edmond, tashmë 73 vjeç, u thirr asokohe në një dhomë hoteli në Rosemont, për të kryer ceremoninë e shpejtë të martesës, mes asokohe 27-vjeçarit Kelly dhe 15-vjeçares Aaliyah.
Martesa u bë pasi Kelly zbuloi se Aaliyah ishte shtatzënë, siç dëshmoi më herët ish-menaxheri i tij.
“Dera u hap drejt dhomës së gjumit dhe prej saj dolën, siç doli se ishin, Aaliyah dhe zoti Kelly. Ky i fundit kishte veshur një komplet tutash sportive”, kujton Edmond. “Njërën këmbë të tutave ai e kishte të ngritur në gju,” shton ish-prifti.
Ndërsa fytyra e Aaliyah ishte gjysmë e mbuluar nga flokët e saj.
Edmond tha se ceremonia zgjati rreth 10 minuta, ndoshta më pak, ku Kelly e Aaliyah u puthën e këmbyen premtimet
Ai i kishte dhënë fjalën një anëtari të stafit të Kelly se nuk do të fliste publikisht për ceremoninë dhe këtë e kishte bere, me refuzimet e shumta për intervista gjatë viteve, u tha në dëshmi.
Aaliyah, e lindur me emrin Aaliyah Haughton, dhe Kelly, emri i të cilit është Robert Sylvester Kelly, u martuan më 31 gusht1994, sipas çertifikatës së tyre. Kelly ishte kthyer nga një turne muzikor në Orlando për t’u martuar me vajzën minorene.
Asokohe menaxheri i turneve Demetrius Smith, i kishte dhënë $500 në dorë një zyrtari publik për të bërë një çertifikatë të rreme identiteti që 15-vjeçarja të mund të martohej.
Në Illinois vajzat në moshën 18 vjeçare mund të martohen pa lejen e prindërve.
Aaliyah ishte gjithashtu këngëtare e talentuar R&B dhe ka punuar nga afër me Kelly. Ajo vdiq në një aksident ajror në vitin 2001 në moshën 22 vjeçare.
Gjyqi vazhdon.
Top Channel