“Është herët për të gjykuar. Më gjykoni pas një viti”, përsëriste në fillimet e pandemisë kryepidemiologu Anders Tegnell që menaxhoi emergjencën sanitare të Suedisë.
Megjithatë, edhe tani pas kaq kohësh, nuk ka ende një vlerësim të qartë: triumfoi, apo dështoi modeli suedez pa kufizime, që për masë të vetme pati këshillimin për distancim social. Krahasuar me vendet fqinjë, Suedia ka pasur rekord infektimesh, e vdekshmëria ishte më e lartë. Megjithatë, edhe në kushtet në të cilat u trajtua pandemia atje, ajo “nuk ka qenë një katastrofë”.
Reagimi i shërbimeve shëndetësore në vend ka qenë në lartësinë t`i bënte ballë situatës. Edhe sudezët vetë u treguan të bindur dhe respektuan në maksimum ato pak masa kufizuese që u vendosën nga autoritetet duke lëvizur më pak e duke transferuar një pjesë të mirë të aktivitetit online.
Business Insider e fshikulloi përpara pak kohësh Suedinë për numrin e lartë të viktimave, ndërsa e përditëshmja britanike Daily Telegraph i thuri lavde “eksperimentit suedez”, duke thënë se mungesa e karantinave dhe e mbylljes ndihmoi ekonominë, shëndetin mendor, ndërsa edhe në ato kushte sipas saj, virusi u arrit të kontrollohej.
Top Channel