Nisi shkolla me konsultime/ Deri më 27 shtator do përsëriten mësimet e bëra online

01/09/2021 15:10

Sot institucionet arsimore publike parauniversitare hapën dyert për të gjithë nxënësit, që dëshirojnë të përvetësojnë njohuritë e marra vjet gjatë mësimit në kohë pandemie. Ata zhvilluan orë mësimore vetëm në disa lëndë kryesore si gjuhë shqipe dhe matematikë si dhe aktivitete sportive dhe argëtuese.

“Kemi mangësi prej mësimit online. Do vij çdo ditë deri në datë 27 që fillon viti i ri shkollor”.

Me të njëjtat masa anti-covid  nisi edhe mësimi plotësues, nxënës dhe arsimtarë me maska, të ulur të vetëm në bankë, pa i shpëtuar edhe matjes së temperaturës. Megjithatë sipas vëzhgimit të kryer nga Top Channel ndihej padurimi për të shkuar në shkollë,sidomos te të vegjlit.

Edhe pse këtë të mërkurë deri në 27 shtator pjesëmarrja e nxënësve nuk është e detyrueshme, prania e tyre në shkolla ishte përtej parashikimeve.

Teksa rrugët gumëzhijnë nga fëmijët shqiptarë që kanë mbaruar mësimin,  të vegjlit afganë që po strehohen në vendin tonë nuk kanë mundësi arsimimi.

Prindërit e tyre shqetësohen për të ardhmen e pasigurtë të fëmijëve në një vend të huaj teksa kanë humbur gjithçka.

“Është e vështirë për ne të jemi në këtë situatë, pa mundësi për t’i dërguar në shkollë. Fëmijët duhet të studiojnë, nuk mund të humbin kohë kështu. Jemi ende të paqartë, nuk flitet për edukimin e tyre, sikur edhe 2 orë në ditë të paktën”.

Top Channel