Kokainë, dhunë, emigrantë të paligjshëm dhe 1 viktimë/ Çfarë ndodhi në 24 orët e fundit në Tiranë, policia arreston 11 persona

01/09/2021 09:29
Foto ilustruese

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 11 persona për vepra të ndryshme penale, 4 prej tyre të shpallur më herët në kërkim.

Një 37-vjeçar me inicialet T. D., banues në Durrës, është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij, kanë konstatuar 6 shtetas të huaj(emigrantë të paligjshëm), të cilët kundrejt pagesës, do ti transportonte drejt kufirit me Kosovën, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Ndërsa një 27-vjeçar me iniciale E. P., ka rënë në pranga, pasi gjatë kontrollit në kaskën mbrojtëse të motomjetit që drejtonte, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë ndalimin e shtetasit E. V., 43 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” pasi me datë 27.08.2021, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasen A. M.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të shpallur në kërkim E. Z., 31 vjeç, sepse më datë 31.08.2021, në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj hallës së tij.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të shpallur në kërkim L. M., 37 vjeç, pasi ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin e shtetasit S. T., 37 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”, sepse në banesë, sistematikisht ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur bashkëshorten e tij.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë ndalimi i shtetasit në kërkim A. M., 44 vjeç( i kapur nga sherbimet e Komisariatit Nr. 3) pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të pa rregullt”.

Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë të shtetasve:

M.M., 20 vjeç, M. T., 32 vjeç, E. Sh., 29 vjeç dhe O. K., 25 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

Më datë 31.08.2021, në spital, ka ndërruar jetë një shtetas ende i paidentifikuar,  (endacak), rreth moshës 55 vjeç, i gjetur nga punonjësit e stafit mjeksor, në rrugën “Endri Keko”.  Gjatë kqyrjes paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme.

Top Channel