Ministri i jashtëm ka paralajmëruar se ringjallja e pikës së përdorur për diplomaci me palestinezët, mund të jetë ‘destabilizuese’.
Izrael raportohet se ka njoftuar SHBA se rihapja e konsullatës së këtyre të fundit në Jeruzalem, e ideuar për kontakte diplomatike me Palestinën, është një “ide e keqe” dhe mund të destabilizojë qeverinë e kryeministrit të ri.
Qeveria e mëparshme e administratës së Donald Trump sinjalizoi mbështetjen për Izraelin në pretendimet e tij për Jeruzalemin duke zhvendosur aty ambasadën nga Tel Avivi.
Por lëvizja ka nxitur zemërim te komuniteti nderkombetar dhe palestinezët që pretendojnë Jeruzalemin lindor si kryeqytet për shtetin e tyre të ardhshëm.
Presidenti Joe Biden është zotuar të riparojë lidhjet me palestinezët bazuar në idenë e zgjidhjes me dy shtete të konfliktit, dhe rrjedhimisht të rihapë konsullatën e mbyllur prej vitit 2019.
“Ne besojmë se është një ide e keqe,” tha ministri i jashtëm izraelit Yair Lapid, i pyetur sot në një konferencë shtypi. “Jeruzalemi është kryeqyteti i shtetit të Izraelit, prandaj besojmë se kjo është një ide e keqe”, tha ai.
“Ne e dimë se administrata [Biden] e shikon ndryshe çështjen, por meqënëse kjo po ndodh në Izrael, ne besojmë se ata na dëgjojnë me kujdes”.
I pyetur për komente, kreu i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Wasel Abu Youssef, tha se Izraeli po përpiqet të ruajë gjendjen e ‘status quo’ dhe të bllokojë zgjidhjen politike.
Ambasada e SHBA nuk ka komentuar ende.
Izraeli pretendon se i gjithë Jeruzalemi është kryeqyteti i tij, një status që nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar. Vendi ka pushtuar lindjen e qytetit së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën gjatë Luftës Gjashtë-ditore të vitit 1967.
Kryeministri izraelit Naftali Bennett, drejtues i nje koalicioni nacionalist, kundërshton shtetësinë e Palestinës. Lapid tha se rihapja e konsullatës do të trazojë qeverinë e tij, të ardhur në pushtet pas largimit të mandatit të gjatë të Benjamin Netanyahu në qershor.
“Ne kemi një strukturë interesante por gjithsesi delikate në qeverinë tonë, dhe mendojmë se kjo mund ta destabilizojë atë, dhe mendojmë se as amerikanët nuk dëshirojnë që kjo të ndodhë”, tha Lapid.
Ai shtoi se përçarjet mes fraksioneve palestineze gjithashtu hedhin dyshime mbi mundësinë e diplomacisë. “Unë besoj te zgjidhja me dy shtete e konfliktit, por duhet të pranoj se në situatën aktuale kjo nuk është e mundur”, shtoi ai. /The Guardian/
Top Channel