Forumi Strategjik në Bled/ Kërkesa e Ramës për Presidentin e Bullgarisë: Ju lutem bëhuni ballkanas, hapini rrugën bisedimeve. Kritikat për “të ardhmen e Europës”

01/09/2021 17:50

Kryeministri Edi Rama ka folur në Forumin Strategjik në Bled për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian duke i dhënë mesazh të qartë Bullgarisë që të lejojë çeljen e bisedimeve.

Rama e nisi fjalën e tij me një batutë për euro-optimistin dhe euro-pesimistin ndërsa tha me bindje se nuk po kërkojnë licensë për të qenë europianë, pasi shtetet e Ballkanit Perëndimor janë europianë. Nuk mungoi kritika e tij për mbledhjet për të ardhmen e Europës duke thënë se është qesharake që shtetet që nuk janë anëtare nuk ftohen.

Rama: Së pari, më lini të përpiqem që t’iu jap disa buzëqeshje në këtë atmosferë të zymtë, sepse në Ballkan ka diçka që besoj duhet ta ruajmë fort, që ne mund të buzëqeshim e të qeshim edhe kur vuajmë, ç’ka pjesëtarët e Bashkimit Europian nuk janë në gjendje ta bëjmë. Po e kam fjalën për gjermanët.

Dikush u afrua e takoi një euro-optimist dhe euro-pesimist në ditët e sotme. E pyeti euro-optimistin se cila ishte pikëpamja e tij për zgjerimin. Ai tha se Turqia do të hyjë në BE ose nën presidencën e Maqedonisë së Veriut apo nën presidencën e Shqipërisë dhe pastaj euro-pesimisti sërisht u pyet dhe tha që të dyja ato do hyjnë në BE, kur ta ketë presidencën Turqia. Kështu që e kemi gjetur mënyrën për t’u përballur me këtë mishërim të Beckett-it përmes BE-së.

BE-ja është Samuel Beckett-i ynë, ne po presim Godonë. Nuk e di kush është Vladimiri apo kush Ekstragoni, unë apo Zorani, por sigurisht që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë si këto dy karaktere në dramën e Beckett-it , ku njëri thotë: “A do ikim” tjetri thotë: “Eja të ikim” dhe Becketti thotë: “Askush nuk lëviz nga vendi”.

E  bukura e kësaj është se Becketti mund të shfaqet në Bashkimin Europian përmes ngjyrave e kombeve të ndryshme, së fundi është Bullgaria, por ne jemi këtu për të luftuar. Pse për të luftuar? Sepse ne nuk po kërkojmë licencë për të qenë europianë, ne jemi europianë.

Çfarëdo të mendojnë njerëzit pjesë e BE-së, çfarëdo të thonë njerëzit në BE, ne jemi europianë dhe sinqerisht, i jam shumë mirënjohës Kryeministrit këtu dhe Presidentit sigurisht, sepse më në fund, në këtë diskutim për të ardhmen e Europës, ne u ftuam.

Natyrisht është një takim anësor, nuk është kryesori, pasi është shumë dramatike dhe shumë qesharake të shohësh Bashkimin Europian të angazhohet në diskutime për të ardhmen e Europës dhe ne nuk ftohemi. Së paku, për mirësjellje të ndryshojnë emrin, e ardhmja e Bashkimit Europian, sepse nëse është e ardhmja e Europës, ne jemi Europë dhe nuk ka asnjë të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Europian.

Nëse Bashkimi Europian do të vazhdojë kështu, nuk do jetë mirë për ne, por do të jetë edhe më keq për BE-në. Kjo jo sepse po i jap Ballkanit Perëndimor të gjithë atë peshën me të cilën e kemi parë njëri-tjetrin kur ishim të izoluar, por sinqerisht po them që ju përmendët në fillesë etërit themelues e nuk mund të rri pa thënë që, nëse do çoheshin etërit themelues e do ndiqnin këtë diskutim për të ardhmen e Europës, do mendonin që më mirë të ishim vdekur sesa gjallë.

Unë nuk kam prova, por po kthehen përmbys në varr. Ç’e ardhme e Europës, për çfarë po debatojmë? Si puna e atij priftit në Kostandinopojë, kur po shembeshin muret dhe diskutonin seksin e engjëjve? Më falni që po tregohem kaq ballkanik, por kjo është gjëja e mirë e të qenit europian nga Ballkani, sepse nuk e humbet asnjëherë ndjenjën e humorit edhe brenda tragjedisë.

Jo faleminderit, nuk kam mbaruar sepse të paktën këtu në Slloveni, këtu në Bled, ne mund të marrim ca nga koha që nuk na e kanë dhënë në diskutimin për të ardhmen e Europës për kaq gjatë.

Kështu që do ta përmbyll me këtë. Ju lutem, mos përmendni më aktorët e tretë, faktorët e tretë sepse është shumë qesharake.

Nga njëra anë na thuhet se na duan. Na doni? Mirë. Nuk na thonë që ju duam dhe ne. Na thonë se jeni të rëndësishëm për ne. Na thonë se një ditë do martohemi me ju, por deri atëherë, as nuk flasim dot bashkë, por as nuk iu flisni dot të tjerëve.

Natyrisht, kjo kërkon të sprovojë dhe testojë karakterin e besnikërinë tonë, por nuk funksionon kështu. Askush nuk po vjen në vete. Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë. Kur ne të bëhemi anëtarë, Macron që është më i riu do jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Unë do të përfitoj nga rasti dhe do t’i kërkoj Presidentit të Bullgarisë. Ju lutem ju bullgarët mos jeni kaq tipikë të BE-së, bëhuni ballkanas. Hapni rrugën. Çfarë po përpiqeni të shpëtoni? Hapini rrugën bisedimeve, na lini të flasim me ta dhe pastaj ju mund të bëheni ballkanikë dhe të dilni e të vini pengesa dhe të bllokoni, por hapni rrugën.

Top Channel