Gjykata e Durrësit ka caktuar masat ‘arrest me burg’ për shtetasit Aldi Mustafa, Uran Zyka dhe Tahir Gjinikën, të cilët u ndaluan në kohë nga policia pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin do të kryenin një vrasje.

Këta tre persona janë paraqitur sot në sallën e gjyqit për t’u njohur me masën e sigurisë, të arrestuar gjatë operacionit të policisë dy ditë më parë.

Dy prej tyre janë me precedentë penale: Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve me 10 vite burg, në Gjermani; Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”. Të dy këta shtetas janë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Mustafa, Zyka dhe Gjinika qarkullonin në lagjen nr.15, Durrës, me mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Aldi Mustafa. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, të tre shtetasit kanë tentuar të largohen duke goditur mjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Top Channel