Kryeministri Edi Rama publikoi një editorial për organizatën “Project Syndicate” me titull “Përgjegjësia e NATO-s për të strehuar Afganët”.

Përmes një gjuhe diplomatike duke ngritur disa pyetje , Edi Rama përcjell kritika për mënyrën e sjelljes së vendeve të tjera aleatë të NATO-s, kur vjen puna për ndarjen e përgjegjësive të krizës afgane.

“Deri pak ditë më parë, anëtarët e NATO -s ishin burimi kryesor i mbështetjes për njerëzit e Afganistanit. Ne nuk mund të tërhiqemi si hije, krahas idealeve, parimeve dhe premtimit të lirisë dhe demokracisë që kemi bërë gjatë dy dekadave. Aleanca ushtarake më e fuqishme në botë, e ndërtuar për të mbështetur ato ideale me praninë e forcës dhe forcës së shembullit, nuk mund të bëhet një entitet pa shtyllë kurrizore në sytë e popullit afgan.

Të gjithë ne, bashkësia e vendeve tona, duhet t’u japim shpresë, strehë dhe një jetë të re të gjithë atyre që na besuan, punuan për ne dhe luftuan për premtimin e së ardhmes që ne përfaqësuam”.

Theksin e kritikës Edi Rama e vendos quke cituar një parim të vetë NATO-s që është se sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Kështu që, edhe një sfidë humanitare aq e madhe sa ajo që NATO po lë prapa në Afganistan, thotë kryeministri duhet të përqafohet nga të gjithë.

“Shqipëria është e gatshme të përballojë pjesën e saj të barrës që të gjitha vendet e NATO -s duhet të mbajnë së bashku. Por tani pyes: nëse edhe Shqipëria, anëtari më i varfër i Aleancës, mund të menaxhojë pjesën e saj të barrës, kush nga shtetet e tjera anëtare të NATO -s nuk mundet? Dhe cili justifikim politik mund të jetë mjaft i fuqishëm për të mposhtur detyrimet tona njerëzore themelore? Ka shumë gishta të drejtuar dhe jo mjaftueshëm ngritje dore për njerëzimin”.

Top Channel