Emri/ Arrestohet 24-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u kap me armë zjarri automatik, pistoletë dhe municion luftarak

31/08/2021 09:04

Një 24-vjeçar, i identifikuar si Ermando Cima është arrestuar nga policia në Kurbin pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja më shumë se njëherë, duke sjellë pasoja të rënda”.

Gjykata e Luksemburgut i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”. Forcat blu kishin marrë informacione se po qarkullonte dhe me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Zhejë”.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz” më të cilin po qarkullonte Cima, u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, një pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, strukturat hetimore të DVP Lezhë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, pasi nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se ky shtetas mund të kryente vepër penale në fushën e krimeve të vjedhjes me armë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Vjedhja” dhe “Vjedhja”, më shumë së njëherë, duke sjellë pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel