Policia e Vlorës ka zbardhur atentatin e ndodhur tre muaj më parë në Kaninë të Vlorës kur Edison Begaj u qëllua me armë zjarri nga një person i veshur si polic.
Sipas policisë së Vlorës vrasësi dyshohet të jetë shtetasi Mitri Prifti. Ai i kishte zënë pritë Begajt në hyrje të banesës së tij në Kaninë. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur personi i maskuar dhe me veshje policie qëllon EdiSon Begajn kur sapo kishte dalë nga makina brenda së cilës ndodheshin fëmijët e tij.
Policia ka zbuluar se vrasja ishte një hakmarrje për një incident që kishte ndodhur dy ditë më parë në një nga lokalet e zonës së Lungomares në Vlorë. Edison Begaj ishte konfliktuar verbalisht me Mitri Priftin dhe në debat e sipër Begaj kishte qëlluar me shpullë në debat e sipër Priftin.
Dy ditë më pas më 29 maj, Mitri i maskuar i zë pritë Begajt dhe e qëllon me armë në fillim në bark e më pas në këmbë. Shënjestra e atentatit mori disa plumba, por pa rrezik për jetën.
Edison Begaj ishte në listën e operacionit forca e ligjit pasi ka qenë i dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për drogë dhe armë. Por edhe autori i atentatit juristi Mitri Prifti është i njohur për organet e drejtësisë.
Në vitin 2016 ai denoncoi se ai dhe kushëriri i tij ndërtues ishin kërcënuar nga grupi Shullazi në Tiranë. Por brenda pak ditësh i tërhoqi pas akuzat, duke u shprehur se nuk e njihte Emiljano Shullazin dhe as të afërmin e tij, Blerim Shullazi, madje as që kishte dijeni mbi ndonjë kërcënim të mundshëm të ndërtuesit.
Më pas u largua nga Shqipëria por së fundmi është rikthyer dhe është shpallur në kërkim me akuzën e rëndë për atentatin me armë.
Top Channel