Dha dorëheqjen nga mandati i deputetes, Çomo del me apel për qytetarët: Vaksinohuni për të shpëtuar jetën

31/08/2021 10:54

Najada Çomo nuk e ka lënë për asnjë moment detyrën si shefe Infektivi, ndaj ka vendosur që t’i tregojë të gjithëve mitet dhe faktet që qarkullojnë për vaksinën e Covid-19.

Prania e variantit “Delta” rriti rastet e reja në vendin tonë dhe numrin e të shtruarve në spitale, ndaj Como vendosi që të dorëzojë mandatin e deputetes dhe të vazhdojë të shërbejë për pacientët në spitalin Covid 1.

Një ndër mitet që qarkullon për vaksinën është se “Vaksinimi i të tjerëve më mbron dhe mua, ndaj nuk kam nevojë të vaksinohem!”. Ndaj shefja e Infektivit ka treguar se një pjesë e atyre që janë në gjendje të rëndë në spitale, janë të pavaksinuar dhe vijon me apelin që të gjithë të bëjnë kërkesë për tu vaksinuar.

“Përkundrazi, virusi është midis nesh dhe ne jemi të ekspozuar karshi virusit Covid-19. Një pjesë e personave nuk janë vaksinuar dhe natyrisht ata janë një numër i caktuar rastesh që ndodhen të shtruar në spital dhe një pjesë e tyre janë në gjendje të rënduar mjekësore, ndaj thirrja ime është “Vaksinohuni për të shpëtuar jetën”, tha Çomo.

Largimi i mjekes Najada Çomo nga lista e deputetëve socialistë për qarkun e Tiranës rikthen në parlament politikanen Mimi Kodheli. Në zgjedhjet e fundit parlamentare Najada Çomo ishte e dyta në listën e kandidatëve socialiste, ndërsa vetë si deputete mori 1.583 vota. Edhe pse ishte mes kandidatëve më pak të votuar ajo sërish e mori mandatin e deputetes për shkak të rregullave në kodin zgjedhor dhe mekanizimit të herësit.

 

Top Channel