KPK ka publikuar datën e seancës për Sali Hasën, prokurorin e Sarandës që është arrestuar pasi akuzohet për veprën penale të korrupsionit.
Në datën 1 shtator, në orën 10:00 është vendosur të bëhet seanca për Hasën, i cili ndodhet në burg. Mbetet e paqartë nëse do ta nxjerrin përkohësisht nga burgu apo do të shtyhet pasi është hera e parë që mbahet një seancë vettingu për një person të arrestuar.
Burimet e gazetares së Top Channel, Anila Hoxha pranë burgjeve pohuan se ende nuk është mbyllur si procedurë, ndonëse subjekti është njoftuar për seancën, por nuk ka vendosur ende nëse do të jetë i pranishëm.
“Nëse prokurori i Sarandës që mbahet në paraburgim shpreh vullnetin për të marrë pjesë në procesin administrativ, patjetër që do ta shoqërojmë në polici”, pohoi një zyrtar i burgjeve për gazetaren Anila Hoxha.
Top Channel