92 vjeçarja pa shtëpi/ Ia dëmtoi tërmeti, ende nuk i përcaktohet shkalla e dëmit

31/08/2021 12:20

Kjo shtëpi e rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 është në pronësi të 92 vjecares Gjylie Idrizi.

Edhe pse kanë kaluar dy vite që nga rënia e tërmetit Bashkia e Durrësit ende nuk e ka të qartë se cilës shkallë dëmtimi i përket ky objekt.

Kundër vullnetit të saj Nënë Gjylen e ka marrë e bija në Itali i cili çdo ditë përballet me kërkesën e saj për të shkuar e për të pritur vdekjen në shtëpinë e saj.

Nipi i 92 vjecares thotë se nëse bashkia nuk e restauron godinën jeta e tyre vendoset në rrezik. Muret e shtëpisë janë të carë, në disa dhoma duket dhe dielli. Në stinën e dimrit jetesa në këtë shtëpi bëhet edhe më e vështire pasi i gjithë shiu futet brenda.

Nga ana tjetër Bashkia e Durrësit thotë se për vlerësimin e objekteve individuale ka kontraktuar një studio projektuese, por që deri më tani ende nuk është e qartë se çfarë do të bëhet me shtëpinë e të moshuarës.

“Pjesë e kësaj kontrate është dhe objekti- shtëpi individuale e znj. Gjylie Idrizi, për të cilën studio projektuese pas përfundimit të procedurave përkatëse sondazheve etj do të depozitojë pranë institucionit tonë projektin e përforcimit nëse objekti konsiderohet sërish me nivel dëmi DS4, ose nëse pas sondazheve etj vlerësohet me nivel dëmi DS5 (për prishje) dërgon informacionin përkatës, në të dyja rastet të shoqëruara me oponencën teknike nga Instituti i Ndërtimit Tiranë.”

Për 90 vjet jeta e të moshuarës në këtë shtëpi ka qenë e sigurt dhe e qetë. Por që nga rënia e tërmetit të 26 nëntorit asaj i duhet të jetoj me ankth në shtëpinë me mure të krisura.

Top Channel