Rreth 110 afganë akomodohen në Shëngjin, 19-vjeçarja: Nuk kisha dëgjuar më parë për Shqipërinë, njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm

30/08/2021 10:02

Numri i qytetarëve afganë të ardhur në Shqipëri ka mbërritur në 607. Disa prej tyre janë akomoduar në Qytetin Studenti ndërsa të tjerë në strukturat hoteliere në Durrës.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se rreth 110-111 afganë kanë mbërritur rreth mesnatës në Shëngjin. Ata janë akomoduar në një rezort turistik dhe do të qëndrojnë aty për një kohë të pacaktuar. Zona është e rrethuar dhe e mbikëqyrur nga Policia e Shtetit ndërsa është e ndaluar hyrja e personave të paautorizuar.

Përveç akomodimit në hotel, afganëve u është vënë në dispozicion edhe stafi mjekësor që do të merret me të gjitha analizat e nevojshme për testet anti Covid.

“Nuk kisha dëgjuar më parë për Shqipërinë, njerëzit tuaj janë shumë të mirë, shumë të sjellshëm”, tha një 19-vjeçare afgane.

Ditën e sotme, rreth orës 5 të mëngjesit, avioni i ardhur nga Abu Dabi u ul në pistë me 150 qytetarë afganë. 103 janë akomoduar në Qytetin Studenti dhe 47 të tjerë në struktura hoteljere në Durrës.

Një ditë më parë, në vendin tonë mbërritën dy avion me afganë. Njëri mbante 154 pasagjerë në bord, 108 prej të cilëve u vendosën në Qytet Studenti dhe pjesa tjetër në struktura hoteliere në Durrës.

Ndërsa tjetri mbërriti nga Afganistani, me 28 persona në bord, të cilët u vendosen në Tiranë. Pritet që numri i afganëve që do të strehohen në vendin tonë të shkojë në 4000 persona.

Top Channel