Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në mbledhjen e zhvilluar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, apeloi për vaksinim, duke i konsideruar shqetësuese shifrat në rritje të infektimeve nga varianti Delta.
“Nuk ka tani më asnjë dyshim se vala e re e Covid-19 ka mbërritur edhe më herët se sa vjeshta. Në Spitalin “Covid 1” janë pothuaj 100 të shtruar, 17 prej tyre në terapi intensive. Janë shumë më pak se sa në rajon, edhe falë shpejtësisë me të cilën Shqipëria nisi vaksinimin masiv, por janë shumë sidoqoftë po të kemi parasysh se jemi ende në gusht.Mjekët më kanë raportuar gjatë gjithë kësaj periudhe se, numri i të pavaksinuarve, është sa 95% e totalit të shtrimeve. Pra është fare e qartë se kush nuk është vaksinuar ende po rrezikon seriozisht, ndërsa përqindja fare e ulët e të vaksinuarve që preken është sidoqoftë shumë më e mbrojtur nga përkeqësimi fatal i sëmundjes”, u shpreh Manastirliu.
Duke bërë apel për vaksinimin anticovid, Manastirliu tha:
“Vaksina shmang format e rënda të sëmundjes dhe fatalitetet. Vaksina bën dallimin a madh, mes jetës dhe vdekjes. Zgjedhja për të bërë apo jo vaksinën nuk është thjesht personale. Nuk është rasti klasik “ç’punë ke ti ç’bëj unë me trupin tim”. Jo! Refuzimi i armës mbrojtëse, që sot çdo qytetar e ka në dispozicion, falas, në çdo qendër shëndetësore në çdo cep të Shqipërisë, vë në rrezik jo vetëm jetën e kujt refuzon.
Ai vë në rrezik jetën e familjarëve. Vë në rrezik jetën e miqve. Vë në rrezik jetën e shoqeve dhe shokëve në klasë apo auditor, të kolegëve e kolegeve në vendin e punës”.
Ministrja Manastirliu tha se nisur nga kjo situatë, do të zbatohet plani i detyrimit të vaksinimit për disa kategori.
“Shtatori do të jetë muaji i dytë i hapur për vaksinimin. Do të nisim shumë shpejt zbatimin e planit për kalimin në një tjetër fazë të fushatës së vaksinimit, ku detyrimi i disa kategorive për t’u vaksinuar do të bëhet në emër të së drejtës së të tjerëve për të mos u infektuar. Të gjitha vendet po lëvizin në këtë drejtim dhe ne do ta bëjmë pa humbur kohë në ditët në vijim”, nënvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu ka përsëritur apelin për vaksinim ndaj COVID19, duke e konisderuar si armë mbrojtëse për çdo qytetar për të shmangur format e rënda të sëmundjes dhe fatalitetet.
Top Channel