Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në Durrës. 3 persona, dy prej të cilëve me precedentë penale, kanë rënë në prangat e policisë, pasi po planifikonin të kryenin një vrasje me pagesë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Misioni” u arrestuan; Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve me 10 vite burg, në Gjermani.

Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”. Të dy këta shtetas janë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit si dhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.

Këta shtetas qarkullonin në lagjen nr.15, Durrës, me mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Aldi Mustafa. Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, të tre shtetasit kanë tentuar të largohen duke goditur mjetin e shërbimit të Policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën: 3 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, 1 armë zjarri mitraloz me fishekë në fole gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Strukturat hetimore të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë intensivisht punën hetimore për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Top Channel