Investimet për fëmijët, në Tiranë u ndërtuar këndi i lojërave numër 77

30/08/2021 15:20

Një tjetër shesh rekreativ për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit i shtohet qytetit të Tiranës.

Sot sheshi pranë rrugës “Endri Keko” në Njësinë 3 të kryeqytetit ofron një hapësirë prej rreth 1200 metër katrorë sipërfaqe të shfrytëzueshme për gjithë familjen, ku përfshihet sistemim rruge me trotuar, parkim, gjelbërim, ndriçim dhe argëtim me lodra për fëmijë.

“Sot jemi te këndi i 77-të në Tiranë. Ka qenë parim që çdo muaj në Bashkinë e Tiranës të kemi një kënd të ri lodrash. Kur mendoj se si filloi kjo punë me këndin e lodrave te liqeni, me president e me çudira, me politikanë me patllake e pistoleta, me polici, sherr e shamata, – shumë zhurmë për asgjë, – kupton që kur ne punojmë bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, kur ne e ndajmë mendjen që do pengojmë njëri-tjetrin, se është Astiri, se është teatri, se është këndi i lodrave, se është Pazari, se është Kalaja, se është sheshi, se është Bulevardi, ne vetëm prishim punë. Kjo do të thotë që ne e paskemi në dorë vetë. Po të bashkëpunojmë, fitojmë të gjithë”.

Kreu i Bashkisë Erjon Veliaj u ka bërë thirrje edhe komuniteteve të tjera që të bashkohen në mënyrë që në Tiranë të krijohen edhe të tjera ambiente të tilla çlodhëse.

“Do bëjmë të njëjtën gjë nga zgjatimi i Lanës në zonën e “Pallatit me Shigjeta” deri në Kashar. Kush e ka parë zgjatimin e Lanës nga Materniteti deri në Shkozë, pemët që mbollëm herën e fundit sa janë rritur, po të shohësh e gjithë pjesa e Lanës, ka marrë të njëjtën vlerë si pjesa buzë Lanës në Tiranën e vjetër”.

Pjesë e sheshit rekreativ pranë rrugës “Endri Keko” janë 5 module lodrash për fëmijë, stola për pushim, 300 m2 sipërfaqe e gjelbëruar, 199 bimësi dekorative, 6 shtylla ndriçimi dhe 18 vende parkimi.

Top Channel