Elbasan/ Arrestohen tre persona, një akuzohet se ka vjedhur disa shuma parash

30/08/2021 15:18

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga tre persona, për vepra të ndryshme penale, një prej të cilëve akuzohen se kanë vjedhur disa shuma parash.

“Janë arrestuar N. F., 42 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 25.08.2021, në lagjen “5 Maji”, Elbasan, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, dyshohet se i ka vjedhur shtetasit Y. J., një shumë parash. Gjithashtu, më datë 27.08.2021, dyshohet se ky shtetas i ka vjedhur një shumë parash, shtetases M. H.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të shtetasit N. F”, njofton policia.

Ndërsa dy persona të tjerë janë arrestuar pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetet, në gjendje të dehur.

“Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit: J. P., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe H. M., 52 vjeç, banues në Elbasan, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetet, në gjendje të dehur”, bën me dije policia.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Top Channel