Ndarja nga jeta e artistit Sherif Merdani – Rama, Basha dhe Meta mesazh ngushëllimi

29/08/2021 20:37

Kryeministri Rama, kryedemokrati Basha dhe Presidenti Meta kanë shprehur ngushëllimet e tyre të sinqerta për ndarjen nga jeta të artistit të madh, Sherif Merdani.

Kryeministri Rama bashkangjitur fotos së artisti shkruan: “LAMTUMIRË SHERIF MERDANI”.

Ndërkaq, kryedemokrati Basha përmes një postimi në rrjete sociale ka shprehur ngushëllimet për miqtë dhe të afërmit e artisti Merdani.

“Me trishtim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të artistit të njohur Sherif Merdani. Sherifi ishte një nga artistët më të spikatur të brezit të tij. Zëri dhe arti i tij kumboi fort dhe në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit në të cilat ai kaloi 16 vite të jetës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë që sot humbën të afërmin dhe mikun e tyre! Shpirti i tij u prehtë ne paqe!”, shkruan Basha.

Presidenti Meta në mesazhin e tij të ngushëllimit shkruan:

“Këngëtari i lirisë, Sherif Merdani u nda sot prej nesh duke lënë pas shumë dhembje.
I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit, në periudhën më të errët për vendin.
Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme!
I paharruar kujtimi i Sherif Merdanit!
“…Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po,
‘Let it be’, kam për të kënduar”.”.

Top Channel