Fluks mjetesh nga bregdeti/ Policia ndëshkon shoferët: Arrestohen 11 persona, pezullohen 60 leje drejtimi

29/08/2021 17:32

Në fundjavën e fundit të muajit gusht është hasur një fluks i lartë automjetesh që kthehen nga zonat bregdetare drejt Tiranës dhe Morinës.

Policia e Shtetit ka qenë në gatishmëri të plotë të gjitha rrugët interurbane dhe urbane dhe njofton se nga monitorimi i kryer në 24 orët e fundit janë arrestuar 11 drejtues mjetesh, janë pezulluar 60 leje drejtimi, si dhe janë ndëshkuar me gjobë 1606 drejtues mjetesh.

“Gjatë 24 orëve të fundit nga shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi .

Janë pezulluar 60 Leje drejtimi, nga të cilat 40 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin deri në 183 km/h në Baypassin e Fierit, 161 në rrugën interurbane Tiranë –Elbasan në Bërzhitë dhe shpejtësi nga 135 deri në 149 në shumë akse të tjera të vendit dhe 20 Leje drejtimi,për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 1606 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, thuhet në njoftimin e policisë

Top Channel