Policia e Sarandës në bashkëpunim me atë të Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Çuka”, si rezultat i të cilit ka rënë në pranga një person dhe është shpallur në kërkim një tjetër.
Policia njofton se personi që është arrestuar është Romeo Laze, 41 vjeç dhe u shpallë në kërkim shtetasi B. Ç., 26 vjeç, banues të dy në Sarandë.
“Në vijim të punës për goditjet e njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet se dy shtetas posedonin dhe merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë, pas një punë të mirëfilltë disa javore, Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Vlorë dhe grupin e FNSH-së, zhvilluan operacionin antidrogë të koduar “Çuka”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
Romeo Laze, 41 vjeç dhe u shpallë në kërkim shtetasi B. Ç., 26 vjeç, banues të dy në Sarandë”, njofton policia.
Mësohet se të dy këta shtetas kishin përshtatur një ambient (garazh), në lagjen nr.4, Sarandë, për përpunimin e lëndës narkotike të llojit “Kokainë” dhe e shpërndanin atë, në sasi, në zona të ndryshme të qytetit të Sarandë dhe Ksamilit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në momentin e arrestimit të Romeo Lazes, Policia gjetei dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, doza me lëndë të dyshuar kokainë.
“Në vijim të kontrolleve të ushtruara në banesat, automjetet dhe motomjetet që këta dy shtetas përdornin, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 kilogram e 255 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, një pjesë e të cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje, 1 armë gjahu dhe muncionon luftarak, 3 peshore elektronike, një presë metalike, një shumë e konsiderueshme parash në lekë, euro dhe dollarë, të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, 4 targa automjetesh dhe 1 pajisje DVR..
Gjithashtu u sekuestruan 3 automjetet dhe 3 motomjetet me të cilin këta shtetas qarkullonin për të shitur lëndën narkotike”, bën të ditur policia.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” ,“Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” të kryera në bashkëpunim.
Top Channel