Vjedhje, drogë dhe dhunë/ Arrestohen 9 persona në Tiranë, ja për çfarë akuzohen

28/08/2021 16:10

Nëntë persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës për vepra të ndryshme penale, 3 prej tyre të shpallur në kërkim.

Nga Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” u kap dhe u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit për shtetasin H. K., 32 vjeç, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve bënë kapjen dhe ekzekutimin e urdhërit të prokurorit për shtetasin Glej (Edison) Shehu, 34 vjeç, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë ndalimin e shtetasit A. M., 33 vjeç, i kapur nga sherbimet e PKK Morinë, pasi dyshohet se është njëri prej autorëve të ngjarjes të datës 25.08.2021, në rrugën “Ferit Xhajko”, ku mbeti i dëmtuar me sende të forta një shtetas. Punohet për identifikimin, kapjen e bashkëautorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. N., 20 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Gjithashtu këtij shtetasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kanabis.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. M., 43 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. H., 23 vjeç dhe B. H., 33 vjeç, pasi kanë përvetsuar një shumë parash prej 700.000 lekë të rinj, të vjedhur nga një shtetas i mitur 13-vjeçar, gjatë natës në një lokal. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. H., iu gjet dhe iu sekuestrua një pashaportë, një leje drejtimi dhe një kart identiteti të dyshuar të falsifikuara. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të banesave së shtetasit E. H dhe 13-vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan një pjesë të shumës të parave të vjedhur.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. N., 20 vjeç, pasi në rrugën “Andon Frashëri” u konstatua duke qarkulluar me një motomjet, i cili është vjedhur gjatë natës në rrugën “Konferenca e Pezës”. Gjithashtu ky shtetas është autor i 2 vjedhjeve të tjetra motomjetesh.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. B., 33 vjeç, pasi në kundërshtim me urdhrin e Gjykatës ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel