Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se Taulant Balla dhe Elisa Spiropali do të jenë edhe në qeverinë “Rama 3”.
Spiropali do të vijojë punën në detyrën e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa Balla do të jetë sërish kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.
Rama: Sot është dita për t’i falënderuar posaçërisht të gjithë deputetët e legjislaturës që sapo mbaroi, drejtuesit e komisioneve parlamentare, anëtarët e kryesisë së grupit dhe kryetarin e grupit tonë parlamentar si dhe ministren tonë të marrëdhënieve me parlamentin. Taulanti ka punuar me përkushtim duke drejtuar grupin me aftësi dhe këmbëngulje të spikatur, edhe në ditë tepër të vështira.
Edhe Elisa ka qenë e përkushtuar në rolin e saj aspak të lehtë duke lehtësuar punën e qeverisë me parlamentin si dhe duke përfaqësuar qeverinë me aftësi dhe efikasitet në debatet parlamentare. Prandaj mendoj që të dy e meritojnë një falënderim të veçantë, së bashku me konfirmimin e tyre në detyrë për mandatin e tretë dhe do ta kenë të plotë mbështetjen tonë për ta çuar në një nivel tjetër performancën e PS në funksion të qasjes së re për të cilën u përpoqa të flas më lart.
Top Channel