Bomba e merkatos së kësaj vere është shumë afër shpërthimit. Reali i Madridit është pranë firmës me Kylian Mbappe pasi Paris Saint Germain ka vendosur të pranojë ofertën e fundit të klubit spanjoll për talentin francez.
Sipas raportimeve të gazetës madrilene Marca, Reali ka vendosur në pjatë 170 milionë euro plus 10 të tjera në formë bonusesh duke barazuar shifrën të cilin PSG shpenzoi për ta blerë nga Monaco 4 vite më parë. Edhe pse jo ende jo zyrtarisht drejtuesit e PSG janë dorëzuar për të mbajtur në skuadër Kylian Mbappe pasi 22-vjeçari ka refuzuar 5 apo 6 oferta që i janë bërë për rinovimin e kontratës, madje edhe ofertën e fundit me një pagë faraonike prej 35 milionë eurosh në sezon. Për të mos e humbur me parametër zero pas një viti drejtuesit e klubit parizien ishin të detyruar të pranonin ofertën e Realit të Madridit.
Te Los Blancos Mbappe mund të veshë fanellën me numër 5, numër ky që nuk i përshtatet një sulmuesi por ka të veçantën se është mbajtur nga ikona franceze e Realit Zinedine Zidane. Me kalimin në Santiago Bernabeu, Mbappe do të bëhet blerja më e shtrenjtë e klubit merengues jo vetëm në epokën e presidentit Florentino Perez porn ë të gjithë historinë e Realit duke parakaluar emra si Cristiano Ronaldo, Eden Hazard e Gareth Bale.
Nëse belgu Hazard arrin të rifitojë formën e tij më të mirë, te Reali Mbappe do të formojë një treshe të frikshme në sulm me Eden Hazard dhe bashkëkombasin Karim Benzema. Një tjetër sinjal për transferimin e menjëhershëm të Mbappe te Los Blancos ka ardhur nga vetë futbollisti që u ka komunikuar shokëve të skuadrës te Paris Saint Germain se në 48 orët e ardhshme do të mbyllet gjithçka me sukses dhe se 22-vjeçari nuk do të jetë i grumbulluar për sfidën e së dielës ndaj Reims.
Top Channel