Gjykata e Shkallës së parë në Vlorë ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për Bledar Selmanaj, i cili akuzohet se vrau 25-vjeçarin Xhuliano Bullari.
39-vjeçari nuk e ka pranuar autorësinë për krimin e rëndë, ndërkohë që seanca gjyqësore zgjati për thuajse dy orë.
Kujtojmë se, Selmanaj u arrestua në zonën e Bllokut në Tiranë ndërsa rezulton emër i njohur për policinë.
Vrasja ndodhi disa ditë më parë në Babicë të Vlorës, ndërsa Salmanaj rezulton i dënuar për një sërë vjedhjesh në qytete të ndryshme të vendit, Tiranë, Fier e Vlorë. Sendet që vidhte, i shiste nëpër dyqane, ndaj u dënua në vitin 2012.
Sa i përket ekzekutimit të 25-vjeçarit Xhuljano Bullari me plumb në kokë, policia bën me dije se Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën që dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta një natë para se të gjendej trupi i pajetë brenda mjetit tip “Fiat Punto”.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në momentin e arrestimit, 39-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Ndërsa nga kontrolli në banesën e tij në lagjen “15 Tetori” në Vlorë, u gjet e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.
Top Channel